Emrat e Allahut

IV

Klasifikimi i Emrave të Allahut për nga kuptimi

Është me rëndësi të kuptojmë edhe një fakt, se emrat e Allahut për nga kuptimi i tyre ndahen në disa lloje:

Lloji i parë: Emrat që tregojnë për cilësitë e lartmadhërisë se Tij, sifat dhatije. Këto cilësi i përkasin Allahut, janë me Të gjithnjë. Ndër ato cilësi janë:

- I Gjallë, El-Haj-j, që tregon dhe vërteton se Allahu është i gjalle, ka jetë, el-hajatu.

- I Dijshëm, El-Alim, që vërteton cilësinë e dijes së Allahut, el-ilm.

- Dëgjon, Es-Semiu, që vërteton cilësinë e dëgjimit të Allahut, es-sem'u.

- Sheh, El-Besir, që vërteton cilësinë e të shikuarit, se Allahu sheh, shikon, el-besar.

- I forte, El-Kavijj, që vërteton cilësinë e forcës apo fuqisë së Allahut, el-kuo-vetu.

- I Larte, El-Ali-ju, që vërteton cilësinë e të qenurit të Allahut lart, el-uluo-vu.

- I Plotfuqishëm, El-Kadir, që vërteton cilësinë e të qenurit të Allahut i plotfuqishëm apo fuqiplotë, el-kudretu.

Të gjitha këto janë cilësi personale, dhatije, ngase i përkasin lartmadhërisë se Tij, nuk ndërlidhen me dëshirën e Tij, subhanehu ve teal.

Lloji i dyte: Emra që tregojnë për cilësitë e veprimit, sifat fi'alije, cilësi të cilat janë të ndërlidhura me dëshirën apo vullnetin e Allahut xh.sh., nëse do, e vepron, e bën, por nëse nuk do, nuk e bën. Ndër ato cilësi janë:

-Krijues, El-Halik, vërteton cilësinë e krijimit, 'el-halk', ashtu që Allahu nëse do, krijon çfarë të dojë e kur të dojë.

- Furnizues, Err-Rrez-zak, që vërteton cilësinë e furnizimit, err-rrizk, domethënë që Allahu nëse do, furnizon kë të dojë, kur dhe sa të dojë.

- Pranues i pendimit, Et-Tev-vab, që vërteton cilësinë e pranimit të pendimit, et-tevbetu, ashtu që Allahu nëse do, ia pranon pendimin robit të Tij.

- I Mëshirshëm, Err-Rrahim, që vërteton cilësinë e mëshirës, rahmetit, err-rrahmetu, ashtu që Ai mëshiron kur të dojë, kë të dojë e sa të dojë.

- Bamirës, El-Muhsin, që vërteton cilësinë e bamirësisë, el-ihsan, ashtu që Allahu i bën mirë kujt të dojë, sa të dojë.

- Falës, El-Afuv-v, që vërteton cilësinë e faljes, el-afv, ashtu që Allahu fal kë të dojë dhe sa të dojë, tebareke ve teala.

Ajete për këtë kemi mjaft, si për shembull ajetet:

“...Kështu Allahu krijon ç'të dojë Vete..“ (Ali Imran: 47)

“...Allahu begaton pa kufi kë të dojë“ (Bekare: 212)

“...Allahu ia pranon pendimin atij që do…“ (Tevbe: 15)

“...Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë“. (Bekare: 284)

“Ai ndëshkon kë të dëshirojë dhe mëshiron kë të dëshirojë; tek Ai do të ktheheni“. (Ankebut: 21)

“Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu…“ (Kasas: 77)

“...Por, në të vërtetë, Allahu ua fali (gabimin), sepse Allahu është Falës i madh dhe i Butë“. (Ali Imran: 155)

Të gjitha këto cilësi ndërlidhen me dëshirën dhe vullnetin e Tij.

Lloji i trete: Emra që tregojnë shenjtërinë dhe zhveshjen e Allahut nga çdo mangësi e të metë që ia mveshin jobesimtarët, si për shembull:

- I Shenjti, 'El-Kud-dusu, që ka kuptimin i pastër nga çdo e metë.

- I Shëndoshi nga të metat, Es-Selamu, që ka kuptimin i shëndoshë nga çdo e metë apo mangësi që ia mëveshin të tjerët.