Emrat e Allahut

55

الْحَقُّ

El-Hakk

I Vërteti

Kategoritë

  • Udhëzimi
  • Madhështia

E vërteta që nuk ndryshon kurrë

El-Hakk është i Vërteti — çdo premtim, çdo fjalë dhe çdo gjykim i Tij është i drejtë dhe i përjetshëm.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Hakk - I Vërteti, Ai që ka krijuar çdo gjë me urtësinë e Tij të përsosur. Çdo gjë në këtë gjithësi dëshmon për ekzistencën e Tij të vërtetë e të pamohueshme. Ky emër i Allahut është përmendur 10 herë në Kur’an, si në ajetet:

ثُمَّ رُدُّوٓا إِلَى ٱللَّهِ مَوْلَىٰهُمُ ٱلْحَقِّ أَلَا لَهُ ٱلْحُكْمُ وَهُوَ أَسْرَعُ ٱلْحَٰسِبِينَ“Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, Sunduesi i tyre i vërtetë. Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejti në llogari” (Enam: 62)

هُنَالِكَ تَبْلُوا كُلُّ نَفْسٍ مَّآ أَسْلَفَتْ وَرُدُّوٓا إِلَى ٱللَّهِ مَوْلَىٰهُمُ ٱلْحَقِّ وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُوا يَفْتَرُونَ“Atje, çdokush do të shpërblehet me atë që ka lënë pas (që ka bërë më parë). Të gjithë do të kthehen tek Allahu, Sundimtari i tyre i vërtetë, ndërsa ajo çfarë ata kishin trilluar, do t’i braktisë”. (Junus: 30)

فَذَٰلِكُمُ ٱللَّهُ رَبُّكُمُ ٱلْحَقُّ فَمَاذَا بَعْدَ ٱلْحَقِّ إِلَّا ٱلضَّلَٰلُ فَأَنَّىٰ تُصْرَفُونَ“Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes (kotësisë)? Atëherë, përse largoheni?” (Junus: 32

فَتَعَٰلَى ٱللَّهُ ٱلْمَلِكُ ٱلْحَقُّ وَلَا تَعْجَلْ بِٱلْقُرْءَانِ مِن قَبْلِ أَن يُقْضَىٰٓ إِلَيْكَ وَحْيُهُۥ وَقُل رَّبِّ زِدْنِى عِلْمًا“I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i Vërtetë! Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” (Ta-ha: 114)

يَوْمَئِذٍ يُوَفِّيهِمُ ٱللَّهُ دِينَهُمُ ٱلْحَقَّ وَيَعْلَمُونَ أَنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْحَقُّ ٱلْمُبِينُ“Atë ditë, Allahu ua do t’ua japë të plotë shpërblimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.” (Nur: 25)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Nga ajo që kuptuam më lart, mund të arrijmë në përfundimin se Allahu është i vërtetë, hak, fjalët e Tij janë hak, veprat e Tij janë hak, Pejgamberët e Tij janë hak, librat e Tij janë hak, feja e Tij është hak, xheneti e xhehenemi janë hak, Dita e Kiametit është hak. Çdo gjë që ka urdhëruar e ndaluar Allahu është hak dhe çdo gjë e ka krijuar me hak.

-Të gjitha këto kuptime e bëjnë besimtarin që ta njohë Allahun xh.sh. më mirë e ta dojë Atë më shumë, ta ndiejë veten shumë krenar për këtë fe të vërtetë, për këtë përzgjedhje nga i madhi Zot për të qenë në këtë fe të vërtetë, duke e besuar Zotin hak, Pejgamberin alejhi selam hak, Kuranin hak, ringjalljen hak.

-Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, e hapte namazin e natës nafile duke e përmendur këtë kuptim, siç e transmeton Ibnu Abasi r.a., se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, kur ngrihej për të falur namaz nate, thoshte: 

“Zoti im, Ty të qoftë falënderimi, Ti je mbajtës i qiejve dhe i tokës dhe çfarë ka në to. Ty të qoftë falënderimi, Ty të përket pushteti i qiejve dhe i tokës dhe çfarë ka në to. Ty të qoftë falënderimi, Ti je Drita e qiejve dhe e tokës dhe çfarë ka në to. Ty të qoftë falënderimi, Ti je Sundimtar i qiejve dhe i tokës. Ty të qoftë falënderimi, Ti je hak, premtimi Yt është hak, takimi me Ty është hak, fjala Jote është hak, xheneti është hak, xhehenemi është hak, Pejgamberët janë hak, Muhamedi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, është hak, kiameti është hak…”.

-Njeriu ndihet i sigurt dhe i qetë se gjithçka që ka thënë Allahu dhe Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, është hak dhe kjo rrugë, ky din është hak, ndaj muslimanët janë në hak dhe çdokush tjetër pos tyre është në të kotë.

-E falënderojmë natë e ditë Allahun që na e ka sqaruar hakun dhe na ka bërë pasues të tij. Allahu na ruajt e na forcoftë në këtë hak derisa të dalim nga kjo dunja dhe ta takojmë Allahun, në Ditën e Kiametit, që është e vërtetë, e të na fusë në xhenetin e vërtetë, me emrin e Tij dhe me mëshirën e Tij, amin!