Emrat e Allahut

71

الْفَتَّاحُ

El-Fettah

Zgjidhjedhënësi

Kategoritë

  • Udhëzimi
  • Furnizimi

Kur çdo derë duket e mbyllur, kush e hap?

El-Fettah hap depot e mëshirës dhe gjykon me drejtësi. Ai jep zgjidhje dhe hap rrugën ku njeriu sheh vetëm mbyllje.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Fettah - Zgjidhjedhënësi, Ai që hap depot e mëshirës së Tij për robërit e sinqertë, por edhe që gjykon me drejtësi në çdo çështje, hap rrugën e diçkaje, jep sukses, është Ngadhënjyes.

Emri El-Fettah në njëjës është përmendur një herë në Kur’an, në ajetin:

قُلْ يَجْمَعُ بَيْنَنَا رَبُّنَا ثُمَّ يَفْتَحُ بَيْنَنَا بِٱلْحَقِّ وَهُوَ ٱلْفَتَّاحُ ٱلْعَلِيمُ“Thuaju:“Ne do të na mbledhë Zoti ynë e do të gjykojë ndërmjet nesh me drejtësi. Ai është Gjykatës i drejtë e i Gjithëdijshëm.” (Sebe: 26)

Edhe në shumës është përmendur një herë, në ajetin:

قَدِ ٱفْتَرَيْنَا عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا إِنْ عُدْنَا فِى مِلَّتِكُم بَعْدَ إِذْ نَجَّىٰنَا ٱللَّهُ مِنْهَا وَمَا يَكُونُ لَنَآ أَن نَّعُودَ فِيهَآ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ رَبُّنَا وَسِعَ رَبُّنَا كُلَّ شَىْءٍ عِلْمًا عَلَى ٱللَّهِ تَوَكَّلْنَا رَبَّنَا ٱفْتَحْ بَيْنَنَا وَبَيْنَ قَوْمِنَا بِٱلْحَقِّ وَأَنتَ خَيْرُ ٱلْفَٰتِحِينَ“…O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë!” (Earaf: 89)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Frytet e besimit në këtë emër janë të shumta, si:

-E kuptojmë që El-Fettah është Ai që gjykon drejt mes robërve të Tij, qoftë nga ana sheriatike qoftë nga ana e dunjasë.

-E dimë që Ai ua hap robërve të Tij dyert e mëshirës dhe të rizkut, por edhe çdo derë tjetër që është e mbyllur e që ne kemi nevojë për hapjen e saj.

-Besimi se Ai është Ngadhënjyesi për robërit e Tij besimtarë, e ngadhënjen atë që i është bërë padrejtësi (el-madhlum) duke ia marrë hakun nga zullumqari (dhalim).

-Bindja se Allahu ka në dorë dyert e hambarëve të rizkut, dyert e ngadhënjimit e të fitores, dyert e së vërtetës, dyert e shkaqeve apo sebepeve.

-Kush e di se Allahu është Zgjidhjedhënësi, El-Fettah, i çdo gjëje, atëherë ai nuk kapet pas njerëzve, por kapet pas litarit të Allahut, Atij i mbështetet dhe i lutet dhe tek Ai e ka shpresën.

-Allahu është Ai që ia hap dyert e udhëzimit kujt të dojë, ia largon çdo dyshim që ka, ia hijeshon çdo gjë që i duhet atij për ta përqafuar hakun apo të vërtetën.

-Në dorën e Allahut është çdo gjë, ndaj njeriu duhet ta dojë, t’ia ketë frikën, për Të të jetojë dhe të veprojë e tek Ai të shpresojë.

-Ta lusim Allahun xh.sh. që të na hapë rrugët para çdo vështirësie që kemi, qoftë e dinit, qoftë e dunjasë, duke qenë të bindur se Ai është Zgjidhjedhënës për çdo gjë, subhanehu ve teala.