Emrat e Allahut

16

الْمُهَيْمِنُ

El-Muhejmin

Mbizotëruesi, Mbikëqyrësi.

Kategoritë

  • Mbrojtja
  • Madhështia

Kush të ruan kur askush s’të sheh?

El-Muhejmin është Mbikëqyrësi që mbron, udhëzon dhe mban çdo krijesë.

Prej emrave të bukur të Allahut me të cilët e ka emërtuar Veten e Tij në Kur'an është edhe emri El-Muhejmin, Mbizotëruesi, Mbikëqyrësi i çdo gjëje që ndodh në këtë ekzistencë, Dëshmuesi i çdo gjëje që ndodh në këtë gjithësi.

Ky emër i bukur i Allahut xh.sh. është cekur një herë në Kur’an, në suren El-Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِى لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْمَلِكُ ٱلْقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلْمُؤْمِنُ ٱلْمُهَيْمِنُ ٱلْعَزِيزُ ٱلْجَبَّارُ ٱلْمُتَكَبِّرُ سُبْحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Pastri (nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbizotëruesi (Mbikëqyrësi) mbi gjithçka...” (Hashr: 23).

Kuptimi gjuhësor i emrit el-muhejmin

Emri el-muhjemin nga aspekti gjuhësor ka disa kuptime, si:
-Besnik, që nënkupton se të tjerët i siguron nga frika.
-Mbikëqyrës,
-Mbrojtës apo ruajtës.
-Dëshmues për atë që ndodh.

Kuptimi i emrit el-muhejmin sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Sa i përket kuptimit të këtij emri për lartmadhërinë e Allahut xh.sh., kemi disa mendime nga ulematë islamë, si për shembull:

-Dëshmues i veprave të robërve të Tij dhe i çdo gjëje që ndodh në këtë gjithësi. Ai të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë vepër e krijesave pa qenë dëshmitar. Ibnu Kethiri ka thënë: “Ibnu Abasi dhe të tjerë kanë thënë se Allahu është Dëshmues i veprave të krijesave të Tij, që nënkupton se Ai është Vigjiluesi i cili mbikëqyr çdo proces në këtë ekzistencë ”.

-Mbikëqyrës i çdo gjëje në këtë gjithësi, Përkujdesës, Mbrojtës, Ruajtës i çdo gjëje, siç thotë Taberiu në “Tefsirin” e tij.

Gazaliu ka thënë: “Kuptimi i këtij emri sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh. është se Ai është Mbikëqyrës i krijesave të Tij, i veprave të tyre, i rizkut të tyre, i exheleve të tyre. Mbikëqyrja ndaj tyre bëhet duke e ditur se çfarë po ndodh, duke qenë mbi to, duke i ruajtur ato... Mbikëqyrja kthehet te dija, ndërsa të qenët sipër tyre kthehet te fuqia e plotë, ndërsa ruajtja e tyre kthehet te veprimi. Të gjitha këto kuptime i përmbledh emri El-Muhejmin, kuptime që në asnjë mënyrë nuk mblidhen tek askush tjetër përveç Allahut.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh..

-Kur njeriu e kupton se Zoti i tij është El-Muhejmin, dëshmitar i çdo gjëje dhe se asgjë nuk i fshihet Atij, qoftë fjalë apo vepër, madje as bindje dhe ndjenjë, atëherë ai ka kujdes çfarë flet dhe vepron, mundohet ta përmirësojë të jashtmen dhe të brendshmen dhe është më vigjilent në fjalët e tij, në veprimet e tij, në tërë jetën e tij. Ai kujdeset të veprojë mirë dhe ruhet që të mos bëjë keq sepse për çdo gjë e di dhe e kupton shumë mirë Zoti i tij dhe për çdo gjë më pas ka për të dhënë llogari. Nëse ka lënë mangët diçka, ai shpejton për ta punuar dhe nëse ka bërë keq diçka, ai shpejton për ta përmirësuar, për t’u penduar e nga ajo e ligë për t’u larguar.

-Kur njeriu e kupton se El-Muhejmin është Mbikëqyrës i çdo gjëje dhe se Ai përkujdeset për jetën e tij, për rizkun e tij e të tjera, atëherë atij i shtohet dashuria ndaj Zotit, i shtohet bindja se El-Muhejmin, që e ka sjellë në këtë dunja, nuk e lë pa rizk, nuk e lë pa e ruajtur dhe pa u kujdesur për të.