III
Gjurmët e Emrave të Allahut në këtë gjithësi
E tërë kjo gjithësi, qiejt e toka dhe çfarë ka në to, pastaj edhe vetë njeriu dhe çdo gjë tjetër janë nga gjurmët e emrave dhe cilësive të Allahut xh.sh.. (çdo gjë në këtë gjithësi të shpie drejt emrave dhe cilësive të Tij, i vërteton ato, si për shembull:
- Nëse analizon dhe mediton për madhësinë e kësaj gjithësie, kupton se Allahu është edhe më i madh, El-Kebir.
- Nëse sheh përkryerjen e këtyre krijesave apo mënyrën e krijimit dhe kryerjes së funksionit të tyre në mënyre precize, kupton se Allahu është më i Dijshmi, El-Alim.
- Nëse shikon zanafillën e këtyre krijesave dhe mënyrën e krijimit të tyre dhe kupton se këto krijesa kanë fillim, i ka krijuar dikush, kupton se Allahu është Krijues, El-Halik, ashtu sikurse është krijues i parë, Nismëtari, El-Mubdiu, qe i ka krijuar gjerat nga asgjëja.
- Nëse shikon forcën e këtyre krijesave, kupton se Allahu është më i fortë, El-Kavijj.
- Nëse shikon urtësinë e krijimit të tyre, kupton se Allahu është i urtë, El-Hakim.
- Nëse shikon mëshirën e këtyre krijesave apo të ndonjërës prej tyre, kupton se Allahu është edhe më i mëshirshëm, Er-Rrahim.
- Nëse sheh bukuritë që ka krijuar Allahu, kupton se Ai është i bukur, El-Xhemil.- Nëse sheh se dikush është bujar e fisnik, atëherë kupton se Allahu është edhe më bujar e më fisnik, El-Kerim.
- Nëse sheh krijesat se si shohin, atëherë kupton se edhe Allahu sheh, është El-Besir.
- Nëse sheh krijesat e Tij se si dëgjojnë zëra të ndryshëm, kush më shumë e kush më pak, atëherë kupton se Allahu dëgjon, madje Atij nuk i ikën asnjë zë dhe se Ai është Dëgjuesi, El-Semiu.
- Nëse sheh se njerëzit e falin njeri-tjetrin, atëherë kupton se edhe Allahu fal, madje shumë më tepër sesa njeriu dhe se Ai është Falës, El-Gafur dhe El-Afuv.
Kështu me radhë çdo gjë në këtë gjithësi tregon dhe të shpie në ndonjë emër të bukur të Allahut dhe të ndonjë cilësi e Tij e përkryer.
*Po ashtu cilësitë dhe emrat e Allahut të shpien drejt adhurimit të Tij, mbështetjes tek Ai, shpresës tek Ai, që është të çuarit në vend të adhurimit me të cilin jemi ngarkuar. Kur njeriu e kupton se e ka Zotin e fortë, ai nuk ia ka friken askujt përveç Tij. Kur e kupton se Allahu e sheh dhe e dëgjon, ai e ka parasysh madhërinë e Tij kudo që shkon, ka kujdes çfarë flet dhe vepron sepse Allahu e sheh dhe e dëgjon. Është thënë se kur një njeri takoi një grua në mes të shkretëtirës në mes të natës, iu afrua dhe i tha:
- Askush nuk po na sheh, pos yjeve! Ajo ia ktheu:
- E ku e le Krijuesin e yjeve?
Kur njeriu e kupton se Allahu është i drejtë, se Ai gëzohet dhe hidhërohet, se Ai shpërblen dhe ndëshkon dhe se njerëzit tek Ai do kthehen, ka shumë kujdes se çfarë flet e vepron.
Kur njeriu e kupton se sa të mirë e ka Zotin e Tij, se sa bujar e fisnik është Zoti i Tij, ai e do Atë, përmallohet për takimin me Të dhe punon e vepron natë e ditë punë që i shërbejnë për atë takim.