Emrat e Allahut

32

اللَّطِيفُ

El-Letif

I Buti

Kategoritë

  • Mëshira
  • Dituria

A e ke vënë re mirësinë që erdhi nga një rrugë e papritur?

El-Letif është Ai që të sjell mirësi nga rrugë që as nuk i mendon — i Buti që kujdeset për ty me dashuri e urtësi.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Letif - I Buti, Bamirës ndaj robërve të Tij, që di çdo imtësi për krijesat e Tij. Ky emër është cekur shtatë herë në Kur’an, si fjala vjen në suren En’am:

لَّا تُدْرِكُهُ ٱلْأَبْصَٰرُ وَهُوَ يُدْرِكُ ٱلْأَبْصَٰرَ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلْخَبِيرُ“Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur (Ai është Bamirës pa kufi dhe di çdo gjë)”. (Enam: 103)

Pastaj në suren Jusuf:

وَرَفَعَ أَبَوَيْهِ عَلَى ٱلْعَرْشِ وَخَرُّوا لَهُۥ سُجَّدًا وَقَالَ يَٰٓأَبَتِ هَٰذَا تَأْوِيلُ رُءْيَٰىَ مِن قَبْلُ قَدْ جَعَلَهَا رَبِّى حَقًّا وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلْبَدْوِ مِنۢ بَعْدِ أَن نَّزَغَ ٱلشَّيْطَٰنُ بَيْنِى وَبَيْنَ إِخْوَتِىٓ إِنَّ رَبِّى لَطِيفٌ لِّمَا يَشَآءُ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْعَلِيمُ ٱلْحَكِيمُ“...Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti”! (Jusuf: 100)

Pastaj në suren El-Mulk:

أَلَا يَعْلَمُ مَنْ خَلَقَ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلْخَبِيرُ“E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithinformuari”?! (Mulk: 14).

Dhe në sure të tjera.

Kuptimi i emrit el-letif sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Taberiu për ajetin kur’anor:أَلَا يَعْلَمُ مَنْ خَلَقَ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلْخَبِيرُ “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithinformuari”?! (Mulk: 14), ka thënë: “Ai është i Butë ndaj robërve të Tij, i informuar detajisht për veprat e tyre”.

Hatabi ka thënë: “El-Letif është Bamirësi ndaj robërve të Tij, Ai që u sjell të mira robërve të Tij nga nuk e dinë, ua çon shkaqet nëpërmjet të cilave arrijnë tek interesat dhe të mirat e tyre nga nuk e mendojnë fare.

Bejhakiu ka thënë: “El-Letif është Bamirës ndaj robërve të Tij, që është cilësi e veprimit (sifat fi’ëlihi’), e mund të jetë me kuptimin i gjithinformuar për detajet e gjërave, ndaj është edhe nga cilësitë që i përkasin lartmadhërisë së Tij (sifat dhatihi) ”.

Ibnu El-Ethir ka thënë: “El-Letif është Ai tek i cili janë bashkuar butësia në veprim, dija për çështjet më të detajuara e pastaj dërgimi i tyre atyre që u janë caktuar ato nga krijesat e Tij”.

Shevkaniu ka thënë: “Allahu është El-Letif, nuk i fshihet Atij asgjë, por dija e Tij arrin në çdo sekret”.

Seadi thotë: “Lufti është nga cilësitë e Allahut, që është në dy pjesë:

E para: Të informuarit e Tij për çdo gjë, njohuritë e Tij për sekretet dhe detajet më të imta që fshihen në gjokse (të njerëzve), çdo gjë që ka të bëjë me njohuritë e Tij për çdo fshehtësi, e kjo kthehet te dija e Tij gjithëpërfshirëse për çdo gjë.

E dyta: Butësia e Tij ndaj robit të Tij, ndaj mikut të Tij, të cilit do t’ia plotësojë ndonjë mirësi dhe ta përfshijë me respektin e Tij e ta ngrejë në shkallë të lartë, ashtu që ia lehtëson rrugët për punë të mira dhe e largon nga punët e këqija”.

Kur Allahu ia lehtëson njeriut rrugën e hairit dhe e ndihmon në atë rrugë, veç është sjellë butë ndaj tij. Nëse i cakton shkaqe të jashtme, pos atyre të brendshme, të cilat janë në kompetencën e njeriut, në të cilat ka dobi për të, atëherë Allahu vërtet është sjellë ndaj tij me butësi, me ‘lutf’. Nga kjo burojnë të gjitha ato që i ndodhën Jusufit, alejhi selam, kalimi i tij nëpër të gjitha ato faza, duke filluar nga ëndrra që pa, pastaj zilia e vëllezërve ndaj tij, pastaj plani i tyre që ta heqin qafe atë, në mënyrë që të fitojnë respektin e babait të tyre, më pas sprovat që i ndodhën kur shkoi në Egjipt, në veçanti me ato gra, që i kushtoi edhe me burg, pastaj dalja nga burgu për shkak të ëndrrës së mbretit deri te posti i lartë në Egjipt dhe bashkimi i tij me prindërit dhe vëllezërit. Të gjitha këto dhe të tjera kanë qenë butësi e Allahut për të dhe për familjen e tij. Jusufi, alejhi selam, i pranon të gjitha këto begati dhe mirësi nga butësia e Allahut dhe thotë në fund:وَرَفَعَ أَبَوَيْهِ عَلَى ٱلْعَرْشِ وَخَرُّوا لَهُۥ سُجَّدًا وَقَالَ يَٰٓأَبَتِ هَٰذَا تَأْوِيلُ رُءْيَٰىَ مِن قَبْلُ قَدْ جَعَلَهَا رَبِّى حَقًّا وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلْبَدْوِ مِنۢ بَعْدِ أَن نَّزَغَ ٱلشَّيْطَٰنُ بَيْنِى وَبَيْنَ إِخْوَتِىٓ إِنَّ رَبِّى لَطِيفٌ لِّمَا يَشَآءُ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْعَلِيمُ ٱلْحَكِيمُ “...Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!” (Jusuf: 100).

Butësia e Allahut është e veçantë për ata robër që Allahu dëshiron t’i përfshijë, nga të cilët Allahu e di se ata e meritojnë butësinë dhe mëshirën e veçantë. Allahu e di më së miri se ku e vendos mëshirën dhe mirësinë e Tij...

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Sigurisht që njeriu e di se kë ka Zot dhe se çfarë butësie e mëshire ka Allahu ndaj tij, i shtohet dashuria ndaj Tij, qetësohet dhe pret zemërhapur çdo caktim të Allahut, ngase e di se gjithçka që ndodh është hair dhe se ajo që zgjedh Allahu për të është më e mirë sesa ajo që deshi ai për veten e tij, por nuk e arriti.

Ai i mbështetet Zotit dhe vërtet pajtohet plotësisht me caktimin e Tij.

Sigurisht që kur e di se asgjë nuk i fshihet Zotit, atëherë ai vepron më mirë, ruhet më shumë, pajiset me vlera të etikës e të moralit të lartë.