Emrat e Allahut

39

الشَّكُورُ

Esh-Shekur

Mirënjohësi

Kategoritë

  • Mëshira
  • Bukuria

Ai shpërblen edhe veprën më të vogël

Esh-Shekur është Ai që nuk e harron asnjë të mirë — për çdo hap drejt Tij, Ai të jep shumëfish më tepër.

Ndër emrat e bukur të Allahut janë edhe emrat Esh-Shekur dhe Esh-Shekir - Kuptimi i të cilëve është Mirënjohësi, Ai që i shpërblen robërit e Vet për punë të mira.

Emri Esh-Shekur është përmendur në Kur’an në katër ajete:

لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِۦٓ إِنَّهُۥ غَفُورٌ شَكُورٌ“Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Mirënjohës (Falënderues).” (Fatir: 30)

وَقَالُوا ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِىٓ أَذْهَبَ عَنَّا ٱلْحَزَنَ إِنَّ رَبَّنَا لَغَفُورٌ شَكُورٌ“E ata do thonë: “Lavdi Allahut (el-hamdulilah), i Cili e ka larguar hidhërimin nga ne. Vërtet, Zoti ynë është Falës dhe Mirënjohës (Falënderues).” (Fatir: 34)”

ذَٰلِكَ ٱلَّذِى يُبَشِّرُ ٱللَّهُ عِبَادَهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا وَعَمِلُوا ٱلصَّٰلِحَٰتِ قُل لَّآ أَسْـَٔلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا ٱلْمَوَدَّةَ فِى ٱلْقُرْبَىٰ وَمَن يَقْتَرِفْ حَسَنَةً نَّزِدْ لَهُۥ فِيهَا حُسْنًا إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌ شَكُورٌ“...Atij që bën vepër të mirë, Ne do t’ia shtojmë shpërblimin. Allahu, me të vërtetë, është Falës dhe Mirënjohës”. (Shura: 23)

Dhe:إِن تُقْرِضُوا ٱللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا يُضَٰعِفْهُ لَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَٱللَّهُ شَكُورٌ حَلِيمٌ “Nëse i jepni Allahut një hua të bukur, Ai jua kthen shumëfish atë dhe ju fal. Allahu është Mirënjohës dhe nuk nxiton në dënime.” (Tegabun: 17)

Ndërsa emri Esh-Shakir, Mirënjohësi, ka ardhur në dy ajete në Kur’an:

إِنَّ ٱلصَّفَا وَٱلْمَرْوَةَ مِن شَعَآئِرِ ٱللَّهِ فَمَنْ حَجَّ ٱلْبَيْتَ أَوِ ٱعْتَمَرَ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِ أَن يَطَّوَّفَ بِهِمَا وَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَإِنَّ ٱللَّهَ شَاكِرٌ عَلِيمٌ“…Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Mirënjohës (Falënderues e Shpërblyes) dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare: 158)

Dhe:

مَّا يَفْعَلُ ٱللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِن شَكَرْتُمْ وَءَامَنتُمْ وَكَانَ ٱللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًا“Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës (Falënderues) dhe i Gjithëdijshëm.” (Nisa: 147)

Kuptimi i këtyre dy emrave sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Taberiu ka thënë: “Katade për ajetin kur’anor:لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِۦٓ إِنَّهُۥ غَفُورٌ شَكُورٌ “...Ai është Falës dhe Falënderues” (Fatir: 30), ka thënë: “Allahu është Falës i gjunaheve dhe Mirënjohës për veprat e mira të njerëzve”.

Hatabi ka thënë: “Esh-Shekur është Ai që falënderon, që është mirënjohës për punë të mira të vogla, për të cilat shpërblen shumë, jep shumë dhunti, pajtohet me pak falënderim, siç ka thënë Allahu:وَقَالُوا ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِىٓ أَذْهَبَ عَنَّا ٱلْحَزَنَ إِنَّ رَبَّنَا لَغَفُورٌ شَكُورٌ “...Vërtet, Zoti ynë është Falës dhe Mirënjohës (Falënderues)” (Fatir: 34)

Kuptimi i mirënjohjes, i shukrit të atribuuar Allahut në këtë ajet, është se Allahu pajtohet dhe kënaqet me adhurim të paktë nga robi i Tij, duke ia pranuar atë dhe duke e shpërblyer me shpërblim të madh, Allahu ealem. Ka mundësi që të jetë kuptimi se Allahu i lavdëron robërit e Tij me mirënjohje e falënderim (shekur), në mënyrë që t’i nxitë e inkurajojë që të bëjnë mirë, pavarësisht a është ajo e mirë e vogël apo e madhe, me qëllim që të mos konsiderojnë të vogël asnjë vepër, në veçanti kur nuk kanë mundësi të bëjnë ndonjë punë të madhe”.

Gazaliu ka thënë: “Esh-Shekur është Ai që për vepra të mira të vogla shpërblen shumë, jep për punët e bëra në ditë të pakta dhunti pa fund në botën tjetër. Nëse shikon shumëfishimin e shpërblimit për veprat e bëra, kupton se Mirënjohës (Esh-Shekur) i vërtetë është vetëm Allahu xh.sh., ngase shpërblimet e Tij janë të pafundme, është xheneti...

Nga këto ajete të lartpërmendura dhe nga komentet e këtyre dijetarëve të lartpërmendur vijmë në përfundimin se kuptimi i këtyre dy emrave të bukur të Allahut është mirënjohja dhe falënderimi i Allahut xh.sh. për robërit e Tij të devotshëm, për veprat e tyre të mira, sado pak e të vogla qofshin ato, duke ua pranuar ato, duke i shpërblyer për to, madje shumë herë më tepër sesa kanë bërë mirë ata. Asgjë nuk humb tek Allahu, Ai nuk ia humb njeriut asnjë punë të mirë, madje e shpërblen atë shumëfish. Allahu ua shumëfishon shpërblimin të devotshmëve e të sinqertëve, i falënderon dhe i shpërblen falënderuesit, i përkujton ata që e përkujtojnë Atë, i afron afër Vetes ata që afrohen tek Ai dhe kështu me radhë.

Sahabët kur e lanë vatanin e tyre për hir të Allahut dhe u shpërngulën, Allahu ua kompensoi shumëfish duke u dhënë dunjanë, ua çliroi atë dhe i bëri pushtetarë në të.

Jusufi, alejhi selam, kur e duroi ngushticën e burgut për hir të Allahut, i dha Allahu pozitë në Egjipt dhe vepronte çfarë të donte. Pejgamberët, alejhi selam, kur dhanë krejt çfarë patën për hir të fjalës së Allahut, u shanë dhe u keqtrajtuan, ua kompensoi atë duke rënë salavat mbi ta Ai dhe melaiket e Tij dhe i lavdëroi ata në qiej e në tokë mes krijesave të Tij dhe e bëri përkujtimin e tyre të paharruar deri në kiamet. Nga mirënjohja (shukri) e Tij është që të mos ia humbë shpërblimin atij që bën mirë, qoftë edhe sa një grimcë.

Nga mirënjohja (shukri) e Tij është se shpërblen në këtë dunja armikun e Tij për punët e mira që bën dhe ia lehtëson dënimin në Ditën e Kiametit, duke mos ia humbur asnjë të mirë që ka bërë, edhe pse ai është nga krijesat më të urryera tek Ai.

Medito për ajetin:مَّا يَفْعَلُ ٱللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِن شَكَرْتُمْ وَءَامَنتُمْ وَكَانَ ٱللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًا “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës (Falënderues) dhe i Gjithëdijshëm” (Nisa: 147), ku mirënjohja (shukri) e Allahut nuk lejon t’i dënojë robërit e Tij pa bërë gjunahe, ashtu sikurse nuk lejon asgjësimin e veprave të mira, ndaj Mirënjohës i vërtetë (Esh-Shekur) është ai që nuk ia humb shpërblimin bamirësit dhe nuk dënon atë që nuk ka bërë keq.

Nga mirënjohja (shukri) e Tij është ta nxjerrë robin nga xhehenemi për hir të një pune të vogël të hairit sa grimca, duke mos ia humbur atë të mirë.

*Dallimi mes shukrit dhe hamdit

Esh-shukr është sikurse el-hamd, por hamdi është më i gjerë, më gjithëpërfshirës ngase njeriu bën hamd, falënderon tjetrin për cilësitë e tij të bukura dhe për veprat e tij të mira, por nuk bën shukr-falënderim, nuk është mirënjohës ndaj dikujt pos për të mirat e tij që i ka bërë e jo edhe për cilësitë e tij.