20
الْمُتَكَبَّرُ
El-Mutekebbir
I Madhërishmi
Kategoria
- Madhështia
Kush është Madhështori që çdo gjë i përkulet?
El-Mutekebbir është Ai që madhërohet me të drejtë — çdo krijesë e njeh madhështinë e Tij dhe përkulet para fuqisë së Tij absolute.
Ndër emrat e bukur të Allahut me të cilët Allahu e ka emërtuar lartmadhërinë e Tij është edhe emri El-Mutekebbir, I Madhërishmi. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të perceptuarit e mendjes njerëzore. Ky emër është cekur vetëm një herë në Kur’an, në suren El-Hashr:
Allahu është Madhështori, me cilësitë e Tij është mbi krijesat e Tij, veçohet me to nga krijesat e Tij, madhështi e cila i përket lartmadhërisë së Tij, ashtu sikurse edhe cilësitë (sifatet) e tjera.
Thuhet se El-Mutekebbir është Ai që nuk u bën zullum e padrejtësi krijesave të Tij.
Katade ka thënë: “I Madhërishmi, madhështia e të cilit është mbi çdo gjë”.
El-Hatabij ka thënë: “Ai është i Madhërishmi nga cilësitë e krijesave të Tij, (nuk i ngjan Atij askush në cilësitë e Tij)”.
Thuhet se është Ai që është i Madhërishëm, por nëse krijesat e Tij i bëjnë Atij rival në atë madhështi, i shkatërron ato.
Ky emër tregon për lartësine e Allahut nga cilësitë e krijesave të Tij, Ai është i Madhërishëm dhe larg çdo ngjashmërie që dikush të jetë sikurse Ai apo t'i përngjajë Atij. Ai është larg çdo të keqeje apo të lige. Ai është i Madhërishëm t'i bëjë padrejtësi apo zullum krijesave të Tij, është larg çdo padrejtësie. Cilësitë e Tij janë të përkryera, veprat e Tij janë te përkryera. Çdo gjë tjetër është e vogël, vetëm Allahu është i madh. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të përceptuarit e mendjës njerëzore.
Kjo cilësi, madhështia (el-kibrijau), nuk i takon askujt tjetër pos lartmadhërisë së Tij sepse Ai është Sundimtar, El-Melik, ndërsa krijesat janë robër (memluk). Ai është i vetmi Zot, Er-Rrab, ndërsa krijesat janë ato që duhët ta konsiderojnë Zot. Ai është Krijues, ndërsa krijesat janë të krijuara, Ai është i vetmi dirigjues dhe Sundues absolut i kësaj gjithësie, ndërsa krijesat janë të sunduara e të dirigjuara. Ai është i vetmi me cilësi të përkryera, me madhështinë e Tij që nuk mund të përceptohet e as të krahasohet me mendjen njerëzore. Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thoshte në ruku dhe në sexhde:
“I lartësuar (subhane) është Mbizotëruesi i çdo gjëje, Pushtetari absolut, i Madhërishmi, Madhështori.”
Njeriut i përket modestia
Madhështia, madhërimi (el-kibrijau) është nga emrat dhe cilësitë e Allahut xh.sh., i vetëm që e meriton atë emër, askush tjetër. Njeriut nuk i takon një emërtim i tillë e as cilësi e tillë, atij i takon thjeshtësia e modestia, përulja ndaj të Madhërishmit. Rukuja dhe sexhdja në veçanti, e namazi në përgjithësi, është edhe adhurimi më i dashur për Allahun dhe kur biem në ruku e në sexhde themi Allahu ekber. Atij i takon madhështia e jo neve si njerëz, pasi neve na takon modestia, përulja e thjeshtësia, ndaj edhe duke u përulur biem në ruku e pastaj në sexhde.
Zoti xh.sh. dënoi ata që refuzuan modestinë dhe zgjodhën mendjemadhësinë
Allahu i Madhëruar na tregon në Kur’an shumë raste se ata që e konsideruan veten ‘të mëdhenj’, që u rebeluan ndaj Allahut xh.sh.., i dënoi në këtë dunja, i poshtëroi para se t’i dënonte dhe do t’i poshtërojë Ditën e Kiametit. Le ta ilustrojmë me disa shembuj.
-Iblisit të mallkuar iu rrit mendja, u tregua mendjemadh dhe arrogant. Allahu xh.sh. tha:
Iblisi u tregua arrogant dhe mendjemadh ndaj urdhrit të Allahut për t’iu përulur Ademit, alejhi selam, por çfarë i ndodhi? E poshtëroi dhe e mallkoi Allahu në dunja dhe ia bëri të ndaluar xhenetin përgjithmonë:
Allahu tha për të dhe për të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e pasojnë atë:
لَأَمْلَأَنَّ جَهَنَّمَ مِنكَ وَمِمَّن تَبِعَكَ مِنْهُمْ أَجْمَعِينَ
Nga frytet e besimit në këtë emër
Lartmadhëria e madhështia i përket Allahut xh.sh..
Nuk ka asnjë arsye që njeriu ta ndiejë veten të madh, ta ndiejë veten se është dikushi, por duhet të jetë modest, i thjeshtë, i përulur, ta ndiejë veten se është i vogël, i dobët, ndërsa Allahu është i madh, i fortë, i madhërishëm, Atij t’ia ketë frikën, t’i lutet e t’i mbështetet.
Bindja se çdo mendjemadhi e kryeneçi Allahu ka për t’ia prurë fundin e keq në këtë dunja para ahiretit.
Kjo ia shton besimtarit imanin dhe dashurinë për Allahun, ia shton mbështetjen tek Allahu se Ai merr hak, Ai u del mjaft mendjemëdhenjve dhe arrogantëve.