Emrat e Allahut

63

الْمُحْيِي

El-Muhji

Jetëdhënësi

Kategoritë

  • Krijimi
  • Udhëzimi
  • Furnizimi

Jeta është dhuratë prej Tij

El-Muhji është Jetëdhënësi që jep jetë trupave dhe zemrave.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Muhji - Jetëdhënësi, Ai që i ringjall të gjitha krijesat dhe u jep jetë, pasi ato të jenë bërë hi e pluhur.

كَيْفَ تَكْفُرُونَ بِٱللَّهِ وَكُنتُمْ أَمْوَٰتًا فَأَحْيَٰكُمْ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ“Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!” (Bekare: 28)

Pastaj në ajetin: 

وَهُوَ ٱلَّذِىٓ أَحْيَاكُمْ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لَكَفُورٌ“Ai ju dha jetë dhe pastaj do t’ju bëjë të vdisni e më vonë do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.” (Haxh: 66)

Dhe në ajete të tjera të shumta.

Kuptimi i emrit el-muhji sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Bejhakiu ka thënë: “El-Muhji është Ai që e ngjall farën e vdekur dhe nga ajo nxjerr të gjallën, ngjall trupat e tretur e të kalbur duke ua kthyer shpirtrat në Ditën e Ringjalljes. Ai i ngjall zemrat me dritën e dijes, e ngjall tokën pas vdekjes së saj me lëshimin e shiut dhe daljen e bereqetit nga toka.

Gazaliu ka thënë: “Nuk ka krijues të jetës e të vdekjes pos Allahut, nuk ka Jetëdhënës (El-Muhji) dhe Jetëmarrës (El-Mumit) pos Allahut xh.sh..”

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.: 

-Jeta dhe vdekja janë në dorë të Allahut, nuk mund të ndërhyjë kush në to, Allahu është krijues i jetës dhe i vdekjes, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلْمَوْتَ وَٱلْحَيَوٰةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْغَفُورُ“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (Mulk: 2)

-Allahu e ka lavdëruar Veten e Tij se Ai është Jetëdhënës dhe Jetëmarrës, El-Muhji dhe El-Mumit.

-Allahu është Ai që e ngjall tokën pasi të jetë tharë e të ketë vdekur nëpërmjet shiut, ku pas shiut dalin frytet e bereqetet.