Emrat e Allahut

53

الْوَاسِعُ

El-Vasiu

Gjithëpërfshirësi

Kategoritë

  • Mëshira
  • Furnizimi
  • Dituria
  • Falja

A ka kufi mëshira, dija dhe furnizimi i Tij?

El-Vasiu është Ai që di, fal dhe furnizon pa kufi — mëshira e Tij përfshin çdo gjë.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Vasiu - Gjithëpërfshirësi, dija dhe sundimi i të cilit janë gjithëpërfshirës. Ky emër i Allahut është përmendur 9 herë në Kur’an, si në ajetin: 

وَلِلَّهِ ٱلْمَشْرِقُ وَٱلْمَغْرِبُ فَأَيْنَمَا تُوَلُّوا فَثَمَّ وَجْهُ ٱللَّهِ إِنَّ ٱللَّهَ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ“Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni është Fytyra (ana) e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm”. (Bekare: 115)

وَقَالَ لَهُمْ نَبِيُّهُمْ إِنَّ ٱللَّهَ قَدْ بَعَثَ لَكُمْ طَالُوتَ مَلِكًا قَالُوٓا أَنَّىٰ يَكُونُ لَهُ ٱلْمُلْكُ عَلَيْنَا وَنَحْنُ أَحَقُّ بِٱلْمُلْكِ مِنْهُ وَلَمْ يُؤْتَ سَعَةً مِّنَ ٱلْمَالِ قَالَ إِنَّ ٱللَّهَ ٱصْطَفَىٰهُ عَلَيْكُمْ وَزَادَهُۥ بَسْطَةً فِى ٱلْعِلْمِ وَٱلْجِسْمِ وَٱللَّهُ يُؤْتِى مُلْكَهُۥ مَن يَشَآءُ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ“...Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm” (Bekare: 247)

ٱلشَّيْطَٰنُ يَعِدُكُمُ ٱلْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِٱلْفَحْشَآءِ وَٱللَّهُ يَعِدُكُم مَّغْفِرَةً مِّنْهُ وَفَضْلًا وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ“Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (Bekare: 268)

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا مَن يَرْتَدَّ مِنكُمْ عَن دِينِهِۦ فَسَوْفَ يَأْتِى ٱللَّهُ بِقَوْمٍ يُحِبُّهُمْ وَيُحِبُّونَهُۥٓ أَذِلَّةٍ عَلَى ٱلْمُؤْمِنِينَ أَعِزَّةٍ عَلَى ٱلْكَٰفِرِينَ يُجَٰهِدُونَ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ وَلَا يَخَافُونَ لَوْمَةَ لَآئِمٍ ذَٰلِكَ فَضْلُ ٱللَّهِ يُؤْتِيهِ مَن يَشَآءُ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٌ“...Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur”. (Maide: 54)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Nga komentet e ulemave rreth këtij emri të bukur të Allahut vërejtëm se të gjithë ata kanë marrë nga një pjesë të tij, pasi ky emër përfshin të gjithë emrat dhe kuptimet e tyre, siç tha shejh Seadi. Pra, Ai është Mëshirues i gjerë, që mëshiron çdo gjë, të mirin e të keqin, njeriun, kafshët dhe çdo krijesë tjetër. 

-Ai është Furnizues i gjerë, furnizon dhe i jep rizk çdo krijese, pavarësisht sa e madhe apo e vogël është ajo krijesë dhe e çfarë lloji është.

-Ai është Bujar i gjerë, u jep të gjithëve, pavarësisht a falënderojnë dhe a janë mirënjohëse ato krijesa.

-Dija e Tij ka përfshirë çdo gjë, asgjë nuk mund t’i fshihet Atij as në qiell e as në tokë.

-Mëshira e Tij përfshin çdo gjë.

- Falja e Tij është e gjerë, Ai është falës i madh, fal shumë mëkate, pavarësisht numrit dhe peshës së tyre, nëse njeriu pendohet.

-Pushteti i Tij është i gjerë, asgjë nuk del jashtë pushtetit të Tij.

-Krijimi i Tij është i gjerë, Ai ka krijuar gjithçka në këtë gjithësi, ka krijuar krijesat që shihen e që nuk shihen, që dihen e që ende nuk dihen.

-Ai edhe sheriatin e ka të gjerë, sepse kjo fe dhe ky sheriat ka përfshirë çdo shtresë të njerëzve, madje çdo kohë, vend e situatë. Kjo fe nga gjerësia e saj u përshtatet të gjithëve, në të gjitha situatat dhe rrethanat nëpër të cilat kalojnë apo gjenden ata. Ajo i përshtatet të riut e të vjetrit, plakut e fëmijës, të shkolluarit e analfabetit, të pasurit e të varfrit, të shëndoshit e të sëmurit dhe kështu me radhë.

-Kur njeriu e njeh Allahun nëpërmjet këtij emri dhe emrave të tjerë, asnjëherë nuk e kaplon dëshpërimi e demoralizimi. Ai e di se kë ka Zot dhe sa i gjerë, i mëshirshëm dhe i butë është Zoti i tij, tebareke ve teala.