Emrat e Allahut

30

الْوَلِيُّ

El-Velij

Mbikëqyrësi

Kategoritë

  • Mbrojtja
  • Udhëzimi

Ai që kujdeset për ty çdo çast

El-Velij është Mbrojtësi e Mbikëqyrësi i vërtetë — Ai që të udhëzon, të ndihmon dhe s’të lë vetëm.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Velij - Mbikëqyrësi.

Emri El-Velij në Kur'an është përmendur disa herë, si në ajetin:

ٱللَّهُ وَلِىُّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا يُخْرِجُهُم مِّنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ وَٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا أَوْلِيَآؤُهُمُ ٱلطَّٰغُوتُ يُخْرِجُونَهُم مِّنَ ٱلنُّورِ إِلَى ٱلظُّلُمَٰتِ أُولَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ“Allahu është Mbrojtësi (Mbikëqyrësi, Kujdestari) i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë…”. (Bekare: 257)

Pastaj:
إِنَّ أَوْلَى ٱلنَّاسِ بِإِبْرَٰهِيمَ لَلَّذِينَ ٱتَّبَعُوهُ وَهَٰذَا ٱلنَّبِىُّ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا وَٱللَّهُ وَلِىُّ ٱلْمُؤْمِنِينَ“Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve”. (Ali Imran: 68)

Dhe:
وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِأَعْدَآئِكُمْ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ وَلِيًّا وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ نَصِيرًا“...Allahu mjafton si Mbrojtës për ju. Allahu mjafton si Ndimës për ju”. (Nisa: 45)

Kuptimi gjuhësor i emrit el-velij

Emri el-velij është diçka e afërt, që të afron, është kundër armikut. El-veliju është ai që vjen pas tjetërit, është afër tij. Velij është ai që merr përsipër çështjet e dikujt tjetër. Velij përdoret edhe për prindin, për udhëheqësin, për zotërinë, për burrin ndaj gruas së tij, për kujdestarin ndaj jetimit etj... Thuhet për të parin e shtetit se ai është veliu ynë. Nga ky kuptim janë quajtur edhe udhëheqësit lokalë apo rajonal në kohën e Perandorisë Osmane valinj.

Kuptimi i emrit el-velij sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Taberiu për ajetin:

ٱللَّهُ وَلِىُّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا يُخْرِجُهُم مِّنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ وَٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا أَوْلِيَآؤُهُمُ ٱلطَّٰغُوتُ يُخْرِجُونَهُم مِّنَ ٱلنُّورِ إِلَى ٱلظُّلُمَٰتِ أُولَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ”Allahu është Mbrojtësi (Mbikëqyrësi, Kujdestari) i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë...”. (Bekare: 257), ka thënë: ”Ai është Kujdestari i tyre, Mbikëqyrësi i tyre, Mbrojtësi i tyre, përkujdeset për ta me ndihmën dhe suksesin e Tij, duke i nxjerrë nga e errësirat e kufrit në dritën e imanit”

Dhe ka thënë për ajetin:

وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِأَعْدَآئِكُمْ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ وَلِيًّا وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ نَصِيرًا”Allahu mjafton si Mbrojtës për ju....” (Nisa: 45), se ”u mjafton atyre Allahu për Kujdestar e Mbrojtës, Ai ua merr përsipër punët e tyre, i ruan ata, i mbron nga armiqtë e tyre, nga kurthet e tyre që t'i pengojnë ata nga pasimi i rrugës se Pejgamberit të tyre”.

Hatabi ka thënë: ”El-Velij-j është mbrojtësi, i cili u jep fitore, i bënë të ngadhënjejnë besimtarët”.

El-Veliju është Allahu, që ka marrë përsipër punët e robërve të Tij, të të gjitha krijesave të Tij.

Përkujdesja (vilajeti) e Tij ndaj krijesave të Tij është dy llojesh:

Përkujdesje e përgjithshme, që është përkujdesja për çështjet e përgjithshme të krijesave të Tij, furnizimin e tyre me rizk, rregullimin e mbijetesës së tyre, të mundësuarit e tyre që të mbijetojnë, të furnizohen, t'ua caktojë atyre caktimet kaderet e tyre, hair e sherr, dobi e dëm etj., që nënkupton se të giitha krijesat janë në kontrollin e Tij, nën mbikëqyrjen e Tij. Kjo përkujdesje është e përgjithshme, për musliman e jomuslimanë, madje edhe për shtazë dhe krijesa të tjera.

Përkujdesja e veçantë, që me këtë kuptim ka ardhur më shumë emri El-Velij, është përkujdesja dhe mbikëqyrja e veçantë për besimtarët, që është për qëllim përkujdesja ndaj tyre, ruajtja e tyre nga çdo armiqësi dhe e ligë, dhënia sukses në punë. Allahu ua ruan besimtarëve dinin e tyre, përkujdeset dhe i mbron ata që të mos të bien në kufër e shirk, i mbron ata nga kurthet e armiqvë, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

ٱللَّهُ وَلِىُّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا يُخْرِجُهُم مِّنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ وَٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا أَوْلِيَآؤُهُمُ ٱلطَّٰغُوتُ يُخْرِجُونَهُم مِّنَ ٱلنُّورِ إِلَى ٱلظُّلُمَٰتِ أُولَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ”Allahu eshtë Mbrojtësi (Mbikëqyrësi, Kujdestari) i atyre gë besojne. Ai i nxjerr ata nga errësira ne dritë...” (Bekare: 257)

Sigurisht se kjo mbikëqyrje (vilaje) është e kushtëzuar me besim të shëndoshë në Allahun, me sinqeritet, me pasim të Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, me të vepruar sipas Kur'anit dhe Sunetit, është e nderlidhur me qëndrueshmëri në fe. Allahu xh.sh. ka thënë:

أَلَآ إِنَّ أَوْلِيَآءَ ٱللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ
ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا وَكَانُوا يَتَّقُونَ
”Pa dyshim, miqtë (evliatë) e Allahut nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut)”. (Junus: 62-63)

Ndërsa në ”El Buhari”, Pejgamberi, sal-Aliahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

”Allahu ka thënë: “Kush ma armiqëson Mua një mik (velij) Timin, kam për ti shpallur atij luftë..”

Kuptohet se Allahu është (velij) Mbikëqyrës i robërve të Tij besimtarë, por edhe ata janë miq (evlia) të Allahut. Kjo miqësi e Allahut ndaj robërve të Tij është e nderlidhur me përkujdesjen e tyre ndaj Allahut, duke e ruajtur dinin e Allahut, duke qenë besimtarë të devotshëm.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh

-Allahu është Veliu, Kujdestari, Mbikëqyrësi i atyre që kanë besuar Allahun, Ai i ndihmon ata, i ruan ata, u mjafton atyre, ua dëgjon lutjet dhe kërkesat, është afër tyre, është me ta.

-Përkujdesja për ta fituar miqësinë, mbikëqyrjen dhe përkujdesien e Allahut xh.sh., respektivisht përpjekja për t'u bërë nga evliate e Allahut, nga miqtë e Tij të veçantë sepse të gjithë besimtarët janë evlia, miq të Allahut, por prapë dallojnë mes tyre në shkallët e kësaj miqësie sepse ajo shkon sipas imanit, sipas lidhjes së tyre me Allahun xh.sh..

Evliatë më të afërt e më të veçantë tek Allahu janë Pejgamberët, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe kështu me radhë. Ata janë evlia të veçantë, ndërsa besimtarët e rëndomtë janë evlia të rëndomtë sipas imanit të tyre, devotshmërisë së tyre.

-Allahu evliatë e Tij nuk i humb asnjëherë, nuk i zhgënjen. Ai i ruan dhe përkujdeset për ta në dunja dhe në ahiret, siç ka thënë Allahu xh.sh.:

لَهُمْ دَارُ ٱلسَّلَٰمِ عِندَ رَبِّهِمْ وَهُوَ وَلِيُّهُم بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ“Ata do të kenë Shtëpinë e shpëtimit (xhenetin) te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë“. (Enam: 127)

Allahu na forcoftë në këtë din, na forcoftë lidhjen me Të, qoftë Ai veliu ynë dhe i evliave të Tij të devotshëm me përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e Tij në këtë dunja dhe në ahiret, amin!