Emrat e Allahut

76

الْبَرُّ

El-Berru

Mirëbërësi

Kategoritë

  • Mëshira
  • Bukuria

Kush na mbulon me mirësi pa pushim?

El-Berru është Mirëbërësi. Ai shtrin bamirësinë dhe bereqetin ndaj robërve, me butësi që nuk ndërpritet.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Berru, Mirëbërësi, Ai që shtrin mirësinë dhe bereqetin ndaj robërve të Vet.

Ky emër i Allahut është përmendur vetëm një herë në Kur’an, në ajetin:

إِنَّا كُنَّا مِن قَبْلُ نَدْعُوهُ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْبَرُّ ٱلرَّحِيمُ“Ne i jemi lutur Atij edhe më parë. Vërtet, Ai është Bamirësi e Mëshirëploti.” (Tur: 28)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu xh.sh. është i Mëshirshëm ndaj krijesave të Tij, i Butë e Bamirës ndaj tyre, i përfshin me mirësinë dhe bereqetin e Tij.

-Seadi ka thënë: “Allahu e ka përshkruar Veten e Tij me El-Berru, që frytet e kësaj cilësie janë të gjitha nimetet, dhuntitë e dukshme dhe të padukshme (të jashtme dhe të brendshme), saqë asnjë krijesë nuk mund të pavarësohet nga mirësia e Tij për asnjë lëvizje të qerpikut të syrit”.

-Allahu është Bamirës, i Mëshirshëm, e do bamirësinë dhe mëshirën, ndaj duhet të përpiqemi në maksimum që të pajisemi me këto virtyte të larta sepse me to ngrihemi shumë lart tek Allahu në qiell dhe te njerëzit në tokë. Kjo është edhe pjesë e kuptimit të hadithit të Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur është pyetur se çfarë është mirësia, ai ka thënë: “Mirësia është morali i mirë...” , është sjellja e mirë, është butësia, mëshira, respekti i njeriut ndaj të tjerëve.

-Ne kemi më tepër obligime për mirësi e mëshirë ndaj prindërve, pastaj farefisit e kështu me radhë.

-Prej ajeteve përfshirëse të këtij virtyti, mirëbërje e mirësie, është ajeti i sures Bekare:

لَّيْسَ ٱلْبِرَّ أَن تُوَلُّوا وُجُوهَكُمْ قِبَلَ ٱلْمَشْرِقِ وَٱلْمَغْرِبِ وَلَٰكِنَّ ٱلْبِرَّ مَنْ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْـَٔاخِرِ وَٱلْمَلَٰٓئِكَةِ وَٱلْكِتَٰبِ وَٱلنَّبِيِّـۧنَ وَءَاتَى ٱلْمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ ذَوِى ٱلْقُرْبَىٰ وَٱلْيَتَٰمَىٰ وَٱلْمَسَٰكِينَ وَٱبْنَ ٱلسَّبِيلِ وَٱلسَّآئِلِينَ وَفِى ٱلرِّقَابِ وَأَقَامَ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَى ٱلزَّكَوٰةَ وَٱلْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَٰهَدُوا وَٱلصَّٰبِرِينَ فِى ٱلْبَأْسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَحِينَ ٱلْبَأْسِ أُولَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ صَدَقُوا وَأُولَٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُتَّقُونَ“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, librin dhe Profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”. (Bekare: 177)

-Ai që e njeh Zotin e Tij xh.sh., se Ai është Bamirës dhe i Mëshirshëm, shpreson dhe lutet që Allahu ta falë atë, që të mos hidhërohet ndaj tij për ndonjë mëkat që bën, por ta falë e ta mëshirojë.