Emrat e Allahut

07

اَلاَحَدُ

El-Ehad

Një

Kategoria

  • Madhështia

Vetëm Një meriton adhurim!

El-Ehad – Ai që s’ka të ngjashëm, i Vetmi Zot që zemra njeh si të vërtetë.

Emri El-Ehad, Një, ka kuptimin Një që nuk ka rival tjetër, që nuk ka rival në atë që krijon, në dirigjimin e Tij, nuk i ndihmon askush, nuk i përngjan Atij askush në asgjë dhe nuk meriton t’i përngjajë në asgjë, siç ka thënë Allahu xh.sh.

فَاطِرُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًا وَمِنَ ٱلْأَنْعَٰمِ أَزْوَٰجًا يَذْرَؤُكُمْ فِيهِ لَيْسَ كَمِثْلِهِۦ شَىْءٌ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْبَصِيرُ“...Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha”. (Shura: 11)

Ai është i vetëm me tevhidin rrububije, duke qenë i vetmi krijues, dirigjues, furnizues, mbikëqyrës, që jep jetë dhe vdekje etj., ashtu sikurse është i vetëm në tevhidin uluhije, duke qenë i vetmi Zot që meriton të adhurohet e të madhërohet, të falënderohet, të lutet, tek Ai shpresohet etj...

Allahu është Një, i Vetëm, nuk ngjan me askënd as në lartmadhërinë e Tij e as në cilësitë e Tij, prandaj kur është pyetur Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, nga disa paganë mekas se si është Zoti yt, a është nga ari, nga argjendi apo nga bronzi, Allahu i ka shpallur si përgjigje për ta suren Ihlas:

قُلْ هُوَ ٱللَّهُ أَحَدٌ
ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ
لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ
وَلَمْ يَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدٌۢ
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Ihlas: 1-4)

Kjo sure, e cila përmbledh cilësitë e përkryera të Allahut xh.sh. dhe emrat e Tij të bukur, konsiderohet ndër suret më të mëdha të Kur’anit, ndaj edhe ka ardhur në hadith se është një e treta e Kur’anit.

Zemra e besimtarit është e qetë, e lumtur, e mbushur me dritë qiellore, ecën në rrugë të drejt, e fiton rizkun në mënyrë hallall, vepron drejt dhe gjykon drejt, e di se çfarë ka caktuar për të Allahu, ajo ka për ta goditur dhe çfarë nuk ia ka caktuar, nuk ka për ta goditur. Ai e di se çdo gjë, madje edhe ndonjë e keqe apo dëm nëse e godet, është hair për të, madje e tërë jeta për të është hair, pasuria, varfëria, shëndeti e sëmundja, rinia e pleqëria deri te vdekja, krejt janë hair për të dhe në të mirë të tij.

Zemra e jobesimtarit kurrë nuk është e qetë, ngarkesat e telashet më të vogla e shqetësojnë, frika nga e ardhmja e dërrmon, droja se po i ikën të mirat që posedon e shkatërron. Ai endet si i hutuar në mes të errësirës së natës, si i humbur mes shkretëtirës jetën e kalon.

Emri El-Vahid dhe El-Ehad edhe pse i përngjajnë njëri-tjetrit dhe kanë një rrënjë, megjithatë kanë dallime mes tyre:

- Emri El-Vahid përdoret për të filluar numërimin, thuhet: vahidun, ithnani, thelathe... një, dy, tre.., ndërsa tek emri 'ehadun' ndërpritet numërimi, nuk ka të dytë pos tij, nuk thuhet: ehadun, ithani, thelathe... një, dy, tre...

- Emri ehadun është më i përgjithshëm në mohim sesa emri vahidun, sepse kur thua: Nuk ka në shtëpi vahidun, mund të kuptohet se nuk është në shtëpi një njeri, por janë dy e më shume. Ndërsa kur thua: Nuk ka në shtëpi ehadun, atëherë jep të kuptohet se asnjë njeri nuk është në shtëpi.

Emri El-Vahid është i vetëm, nuk ka rival, ndërsa 'Ehad' është i pashembullt me askënd, nuk i përngjan askujt dhe askush Atij.

Frytet e imanit në këta dy emra

Gjurma më e madhe e besimit në këta dy emra është veçimi i Allahut, subhanehu ve teala, me teuhid rububije, me teuhid uluhije dhe me teuhid el-esma dhe es-sifat.

Allahu është i vetëm në krijim, në furnizim, në dhënien e jetës dhe vdekjes se çdo krijesë dhe cilësi të tjera të teuhidit rububije. Po ashtu është dhe i vetëm në të qenët e Tij një Zot, nuk ka zot tjetër pos Tij, i Vetmi që meriton adhurim, nënshtrim, përulje dhe lloje të tjera të adhurimit, që përbejnë teuhidin uluhije. Allahu nuk ka fëmije, nuk ka bashkëshorte e as që meriton të ketë, subhanallah, siç ka thënë Allahu për lartmadhërinë e Tij:

مَا كَانَ لِلَّهِ أَن يَتَّخِذَ مِن وَلَدٍ سُبْحَٰنَهُۥٓ إِذَا قَضَىٰٓ أَمْرًا فَإِنَّمَا يَقُولُ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ“Nuk i takoi (nuk ka nevojë) Allahu të ketë ndonjë fëmijë. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Behu!“ dhe ajo behet.“ (Merjem: 35)

Ata që thonë se Allahu ka rival, ka bashkëshorte apo ka fëmijë, kanë shpifur ndaj Tij. Allahu në mënyrë kategorike e mohon një gjë të tillë, emri Ehad e ngërthen këtë kuptim, surja El-Ihlas e ngërthen këtë kuptim dhe i tërë Kurani, nga fillimi deri në fund, madje edhe logjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e njeriut nuk mund të pranojë që Allahu të ketë nevojë për ndonjë rival apo anëtar familjeje.

Po ashtu është i veçantë edhe me emrat e Tij të përkryer dhe me cilësitë e Tij të larta, si: dëgjimi, shikimi, krijimi, vullneti, dëshira, dashuria, urrejtja dhe emra e cilësi të tjera të teuhidit el-esma dhe es-sifat.

Njeriu lidhet me Allahun, e do Atë, i lutet Atij, shpreson tek Ai, ia ka frikën Atij, nuk ia ka frikën askujt pos Atij, nuk e do askënd më shumë sesa Atë, nuk bën asnjë veper që e hidhëron Atë, mundohet në maksimum ta fitojë kënaqësinë e Tij, subhanehu ve teala. Kështu jeton me Allahun dhe për Allahun, nuk e brengosin dhe nuk e shqetësojnë telashet dhe problemet e dunjasë, nuk e merr dunjanë shtëpi ‘të perhershme’, por punon për shtëpinë e përhershme, te cilën ia ka premtuar Zoti në botën tjetër.

A ka ngjashmëri mes një muslimani të tillë me këtë bindje dhe mes një jobesimtari, i cili në fakt as nuk e di përse jeton, çdo gjë e frikëson dhe e streson. Kur ai mendon për vdekjen, i ngushtohen venat e gjakut, e kap stresi e ankthi, nuk di fare të veprojë, ku të ankohet e çka të bëjë! Me çdo gjë ai mundohet që ta largojë mendjën nga vdekja.