65
الصَّمَدُ
Es-Samed
Strehimtari
Kategoritë
- Mbrojtja
- Furnizimi
- Madhështia
Vetëm tek Ai gjen mbështetje
Es-Samed është Strehimtari që dëgjon çdo nevojë dhe i përgjigjet çdo lutjeje.
Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri Es-Samed - Strehimtari, Ai te mëshira e të cilit gjen strehim besimtari i përulur para madhështisë së Tij, Ai të cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Kryepari, Zotëria me plot kuptimin e fjalës zotëri. Zotëruesi i vetëmjaftueshëm, Absoluti me të gjitha cilësitë e përsosura në shkallën më të lartë, për të cilin kanë nevojë të gjitha krijesat.
Emri Es-Samed është përmendur vetëm një herë në Kur’an, në suren Ihlas:
ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ
Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dëgjoi një njeri duke u lutur e duke thënë:
“O Zoti im, unë të lus Ty me dëshminë time se Ti je Allahu (el-ehad, essamed, el-ledhi lem jelid ve lem juled ve lem je kun lehu kufuven ehad), nuk ka të adhuruar tjetër pos Teje, Ti je një, të cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, që nuk lind e as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Të”. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i tha: “Vërtet e ke lutur Allahun me emrin të cilin nëse lutet me të, i përgjigjet dhe nëse i kërkohet diçka, jep”.
Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.
Për këtë emër të bukur mund të nxjerrim shumë dobi, shumë fryte të besimit, por ndër to veçojmë:
-Allahu është Ai tek i cili drejtohen lutjet, paraqiten nevojat, kërkesat e robërve të Tij, tek Ai gjejnë strehim të gjithë.
-Atij i përket përkryerja në të qenët zotëri, kryepar, në ndershmëri, bujari dhe në cilësi të tjera.
-Njeriu kupton se Zoti i tij është Es-Samed, prandaj nuk drejtohet drejt askujt tjetër në asnjë rast, vetëm tek Allahu xh.sh., siç ka ardhur në hadithin të vërtetë:
“...Kur të lutesh, lute Allahun dhe kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu..”’
-Kur e di njeriu se Zoti i tij është Es-Samed, ai e do Atë, jeton me Të dhe për Të, subhanehu ve teala.
-Kur e di njeriu se Zoti i tij është Es-Samed, vetëm Atij i mbështetet, tek Ai strehohet, Atij i drejtohet.
-Kur e kupton se Zoti i tij është Es-Samed, ai nuk ngopet duke e lutur Atë, duke e përkujtuar Atë (bën dhikër).