Emrat e Allahut

80

الْهَادِي

El-Hadi

Udhëzuesi

Kategoria

  • Udhëzimi

Ku e kërkon udhëzimin kur nuk di cilën rrugë të zgjedhësh?

El-Hadi është Ai që udhëzon drejt së vërtetës. Kur rruga bëhet e paqartë, kujtoje Atë që udhëzon.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Hadi, Udhëzuesi, Udhërrëfyesi, Ai që krijoi çdo gjë e pastaj i udhëzoi.

Ky emër i Allahut është përmendur dy herë në Kur’an, në ajetin:

وَلِيَعْلَمَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا ٱلْعِلْمَ أَنَّهُ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَيُؤْمِنُوا بِهِۦ فَتُخْبِتَ لَهُۥ قُلُوبُهُمْ وَإِنَّ ٱللَّهَ لَهَادِ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا إِلَىٰ صِرَٰطٍ مُّسْتَقِيمٍ“…Allahu është Udhëzuesi i atyre që besojnë në rrugën e drejtë”. (Haxh: 54)

Dhe:

وَكَذَٰلِكَ جَعَلْنَا لِكُلِّ نَبِىٍّ عَدُوًّا مِّنَ ٱلْمُجْرِمِينَ وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيًا وَنَصِيرًا“Ja kështu, Ne secilit Pejgamber ia bëmë ndonjë armik prej keqbërësve (jobesimtarëve), por mjafton që Zoti të jetë Udhërrëfyesi dhe Ndihmëtari yti”. (Furkan: 31)

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Allahu xh.sh. është Ai që i udhëzon robërit e Tij në Islam, në iman, në dorën e Tij është hidajeti, udhëzimi ynë.

-Allahu i udhëzon vetëm ata që do, askush nuk mund të udhëzohet pa dashur Allahu, askush nuk mund ta ndalë nga udhëzimi atë që e përzgjedh Allahu. Udhëzimi apo hidajeti thjesht është dhuratë e Allahut për robin e Tij, për atë që e përzgjedh Ai për atë dhuratë.

Ndërsa atë që nuk do Ai ta drejtojë e udhëzojë, me këtë dhuratë të veçantë ta veçojë, ai kurrë nuk mund të udhëzohet. Allahu xh.sh. ka thënë:وَتَرَى ٱلشَّمْسَ إِذَا طَلَعَت تَّزَٰوَرُ عَن كَهْفِهِمْ ذَاتَ ٱلْيَمِينِ وَإِذَا غَرَبَت تَّقْرِضُهُمْ ذَاتَ ٱلشِّمَالِ وَهُمْ فِى فَجْوَةٍ مِّنْهُ ذَٰلِكَ مِنْ ءَايَٰتِ ٱللَّهِ مَن يَهْدِ ٱللَّهُ فَهُوَ ٱلْمُهْتَدِ وَمَن يُضْلِلْ فَلَن تَجِدَ لَهُۥ وَلِيًّا مُّرْشِدًا “…Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte”. (Kehf: 17)

-Udhëzimi, hidajeti është dhurata më e madhe, është nimeti më i madh i robit. Në mënyrë absolute nuk ka diçka më të shtrenjtë sesa udhëzimi në rrugën e drejtë, në tarik mustekim, në rrugën e Pejgamberëve, në rrugën e evliave, e miqve të Allahut, në rrugën e banorëve të xhenetit.

Për ta kuptuar më mirë çështjen e udhëzimit apo hidajetit, mendoj se është me rëndësi të ceket se udhëzimi ose hidajeti i Allahut ka katër shkallë.

Shkalla e parë: Udhëzimi i përgjithshëm -el-hidajetu el-am-meh, që është udhëzimi i Zotit për të gjitha krijesat e Tij rreth asaj që u duhet atyre dhe kanë nevojë gjatë jetës së tyre. Ky udhëzim përfshin njerëzit, xhinët, shtazët, shpezët dhe çdo gjë tjetër. Brenda këtij udhëzimi apo hidajeti hyn edhe kujdesi i shpendit për të voglin e saj, ndërtimi i folesë për të dhe për të vegjlit e saj. Në këtë udhëzim hyn edhe afrimi i të vegjëlve te gjiri i nënës së tyre për të thithur qumësht, hyn edhe thithja e gjirit të nënës nga foshnja. Në këtë udhëzim hyn edhe udhëzimi i Zotit që njerëzit të përparojnë, të zhvillohen për të mirën e tyre dhe të të tjerëve. Argumentet për këtë janë të shumta, si ajeti:سَبِّحِ ٱسْمَ رَبِّكَ ٱلْأَعْلَى
ٱلَّذِى خَلَقَ فَسَوَّىٰ
وَٱلَّذِى قَدَّرَ فَهَدَىٰ
”Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! I cili krijoi dhe përsosi dhe i cili përcaktoi e orientoi.” (El-E'ala: 1-3)

Këtu Allahu përmend katër gjëra: krijoi, përsosi, përcaktoi dhe orientoi apo udhëzoi në atë që është në dobi të asaj krijese, por edhe të tjerave.

Shkalla e dytë: Udhëzimi i sqarimit apo mësimit -hidajetu edde'aveti ve el-irshad, që është udhëzimi i njeriut rreth asaj që e shpëton atë nga dënimi dhe zjarri i botës tjetër. Ky udhëzim është i veçantë për njerëzit dhe xhinët, por nuk është për shtazët, shpezët dhe krijesat e tjera. Ky udhëzim ka për qëllim sqarimin e argumenteve dhe fakteve për ekzistencën e Zotit, botës tjetër, llogarisë, xhenetit dhe xhehenemit, që është misioni i Pejgamberëve dhe atyre që i pasojnë ata më pas, ulemave dhe thirrësve në këtë rrugë. Ky mision ka për qëllim t’i udhëzojë njerëzit në rrugë të hairit, t’ua sqarojë njerëzve të mirën dhe të keqen, pastaj ata vetë zgjedhin se cilën duan; nëse zgjedhin të mirën, natyrisht që pason shpërblimi, por nëse zgjedhin të keqen, natyrisht që pason ndëshkimi, domethënë dënimi me zjarr në botën tjetër. Edhe për këtë lloj udhëzimi ka shumë argumente, si për shembull:وَأَمَّا ثَمُودُ فَهَدَيْنَٰهُمْ فَٱسْتَحَبُّوا ٱلْعَمَىٰ عَلَى ٱلْهُدَىٰ فَأَخَذَتْهُمْ صَٰعِقَةُ ٱلْعَذَابِ ٱلْهُونِ بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ ”Sa i përket Themudit, Ne atyre u patëm treguar rrugën e drejtë por ata megjithatë më shumë e deshën verbërinë (të keqen, shirkun) kundrejt udhëzimit. Prandaj ata i kapi tmerri i dënimit të turpshëm për shkak të asaj që vepruan.” (El-Fus-silet: 17)

Allahu ua sqaroi, ua mësoi rrugën e hairit atyre nëpërmjet Pejgamberit të tyre, Salihut, alejhi selam, por ata nuk e pranuan atë udhëzim dhe si pasojë i goditi dënimi.

Shkalla e tretë: Udhëzimi i suksesit, hidajetu et-tevfik, që ka për qëllim se Allahu ia lehtëson njeriut pranimin e së vërtetës, udhëzimin, i jep sukses në përqafimin e dritës qiellore, ia hijeshon dhe zbukuron të mirën, ia lehtëson rrugën për ta pranuar të vërtetën, për t’u udhëzuar në Islam. Këtë udhëzim nuk e ka kush në dorë pos Allahut xh.sh., bile as Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem. Ky udhëzim është për qëllim tek ajeti:إِنَّكَ لَا تَهْدِى مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ يَهْدِى مَن يَشَآءُ وَهُوَ أَعْلَمُ بِٱلْمُهْتَدِينَ “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.” (El-Kasas: 56)

Shkalla e katërt: Udhëzimi i xhenetlinjve për në xhenet dhe i xhehenemlinjve për në xhehenem, që ka për qëllim Ditën e Kiametit, pasi të përfundojë llogaria, ku Allahu udhëzon secilin atje ku e ka vendin, dikë për në xhenet e dikë për në xhehenem. Kush udhëzohet në këtë dunja në rrugën e vërtetë, tarikul mustekim, që është rruga e Pejgamberëve, do udhëzohet edhe në botën tjetër në rrugën e drejtë, tarikul mustekim, e cila e shpie në xhenet duke ia lehtësuar llogarinë, duke ia forcuar këmbët mbi Urën e Siratit dhe duke e futur në xhenet, ashtu siç i udhëzon ata që kanë kundërshtuar Pejgamberët dhe pasuesit e tyre drejt e në xhehenem duke ua vështirësuar llogarinë, duke i dërguar drejt e në xhehenem, Allahu na ruajt! Allahu xh.sh. ka thënë:ٱحْشُرُوا ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا وَأَزْوَٰجَهُمْ وَمَا كَانُوا يَعْبُدُونَ
مِن دُونِ ٱللَّهِ فَٱهْدُوهُمْ إِلَىٰ صِرَٰطِ ٱلْجَحِيمِ
”Tuboni ata që ishin zullumqarë, shoqërinë e tyre (që ishin si ata) dhe ata që i adhuruan pos Allahut, orientoni rrugës së xhehimit.” (Es-Saf-fat: 22-23)

Ndërsa për besimtarët ka thënë:فَإِذَا لَقِيتُمُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا فَضَرْبَ ٱلرِّقَابِ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَثْخَنتُمُوهُمْ فَشُدُّوا ٱلْوَثَاقَ فَإِمَّا مَنًّۢا بَعْدُ وَإِمَّا فِدَآءً حَتَّىٰ تَضَعَ ٱلْحَرْبُ أَوْزَارَهَا ذَٰلِكَ وَلَوْ يَشَآءُ ٱللَّهُ لَٱنتَصَرَ مِنْهُمْ وَلَٰكِن لِّيَبْلُوَا بَعْضَكُم بِبَعْضٍ وَٱلَّذِينَ قُتِلُوا فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ فَلَن يُضِلَّ أَعْمَٰلَهُمْ
سَيَهْدِيهِمْ وَيُصْلِحُ بَالَهُمْ
وَيُدْخِلُهُمُ ٱلْجَنَّةَ عَرَّفَهَا لَهُمْ
”E ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut, atyre kurrsesi nuk ua humb veprat (por ua shton). Ata do t'i udhëzojë dhe do të përmirësojë gjendjen e tyre. Do t'i shtie në xhenetin, të cilin ua ka bërë të njohur atyre.” (Muhamed: 4-6)

Të parët i udhëzon, i shpie në xhehenem, ndërsa këta të fundit i udhëzon, i shpie në xhenet.

-Prej fryteve të besimit në këtë emër sigurisht është edhe dashuria ndaj të madhit Allah, i cili ka krijuar çdo gjë, i ka orientuar e udhëzuar si të mbijetojnë, edhe më shumë se kaq, i ka udhëzuar robërit e Tij duke u shpallur atyre libra të shenjtë e duke u dërguar Pejgamberë, duke ua lehtësuar shumë udhëzimin dhe drejtimin drejt udhëzimit të vërtetë, drejt tarik mustekim.

-Të bëjmë dua që Allahu të na e ruajë këtë udhëzim dhe të na forcojë e përqendrojë në të, të na bëjë të jetojmë me të dhe të vdesim me të.

-Ta lusim Allahun xh.sh. për udhëzimin edhe të atyre që nuk janë të udhëzuar.

-Ta lusim Allahun të na udhëzojë në punë të dinit dhe të dunjasë. Kjo ka qenë edhe njëra ndër lutjet e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Zoti im, kërkoj nga Ti të më udhëzosh (në çdo punë të dinit e të dunjasë), të më bësh të devotshëm (të më pajisesh me moral dhe devotshmëri), të më mbrosh nga të ndaluarat (nga çdo gjë që ke ndaluar Ti), të më pasurosh (të më bësh të panevojshëm për krijesat)!”

Allahu na udhëzoftë, na drejtoftë, çdo hair na e çoftë, nga çdo e ligë na mbrojtë, amin!