Emrat e Allahut

66

الْقَادِرُ , الْمُقْتَدِرُ

El-Kadir, El-Muktedir

I Fuqishmi, I Gjithëmundshmi

Kategoria

  • Fuqia

Asgjë s’e ndalon fuqinë e Tij

El-Kadir është i Gjithëmundshmi. Me fuqinë e Tij krijoi çdo gjë dhe realizon atë që ka përcaktuar.

Ndër emrat e bukur të Allahut janë edhe emrat El-Kadir, El-Kadiir dhe El-Muktedir - I Fuqishmi, I Gjithëmundshmi, Që të tre këta emra kanë të bëjnë me fuqinë e Allahut xh.sh., i Vetmi, Ngadhënjimtari, fuqia e të Cilit nuk mund të krahasohet. Me fuqinë e Tij ka krijuar të gjitha krijesat, i Gjithëmundshmi, që realizon tërë atë që ka përcaktuar, është i zoti për çdo gjë.

Emri El-Kadir në Kur’an është cekur 12 herë në njëjës e në shumës, si në ajetin:

قُلْ هُوَ ٱلْقَادِرُ عَلَىٰٓ أَن يَبْعَثَ عَلَيْكُمْ عَذَابًا مِّن فَوْقِكُمْ أَوْ مِن تَحْتِ أَرْجُلِكُمْ أَوْ يَلْبِسَكُمْ شِيَعًا وَيُذِيقَ بَعْضَكُم بَأْسَ بَعْضٍ ٱنظُرْ كَيْفَ نُصَرِّفُ ٱلْـَٔايَٰتِ لَعَلَّهُمْ يَفْقَهُونَ“Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” (Enam: 65)

وَأَنزَلْنَا مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءًۢ بِقَدَرٍ فَأَسْكَنَّٰهُ فِى ٱلْأَرْضِ وَإِنَّا عَلَىٰ ذَهَابٍۭ بِهِۦ لَقَٰدِرُونَ“Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht.” (Muminun: 18)

Ndërsa emri El-Kadiir është cekur 45 herë në Kur’an:

مَا نَنسَخْ مِنْ ءَايَةٍ أَوْ نُنسِهَا نَأْتِ بِخَيْرٍ مِّنْهَآ أَوْ مِثْلِهَآ أَلَمْ تَعْلَمْ أَنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ قَدِيرٌ“Për çdo varg (Kur’ani) që Ne e shfuqizojmë apo që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të. A nuk e di ti se Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!” (Bekare: 106)
Ndërsa emri El-Muktedir është cekur 4 herë në Kur’an, si në ajetin:
وَٱضْرِبْ لَهُم مَّثَلَ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا كَمَآءٍ أَنزَلْنَٰهُ مِنَ ٱلسَّمَآءِ فَٱخْتَلَطَ بِهِۦ نَبَاتُ ٱلْأَرْضِ فَأَصْبَحَ هَشِيمًا تَذْرُوهُ ٱلرِّيَٰحُ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ مُّقْتَدِرًا“Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Kehf: 45)

Kuptimi i këtyre tre emrave sa i përket lartmadhërisë së Allahut xh.sh.

Të tre emrat kanë të bëjnë me fuqinë e të madhit Allah, por ata dallojnë varësisht prej formës në të cilën kanë ardhur.

*Sa i përket emrit El-Kadir, Hatabi ka thënë: ”El-Kadir është Ai që ka fuqi për diçka”.

Bejhakiu ka thënë: ”El-Kadir është Ai që ka fuqi gjithëpërfshirëse, fuqia e të cilit është cilësi që i përket lartmadhërisë së Tij”.

*Ndërsa për emrin El-Kadiir, El-Halimij ka thëne: ”El-Kadiir është Ai që ka fuqi të plotë, nuk i vishet fuqisë së Tij pafuqi apo paaftësi në asnjë formë”.

Seadi ka thënë: ”El-Kadiir është Ai që ka fuqi të plotë, me fuqinë e Tij e krijoi këtë gjithësi, me fuqinë e Tij e dirigjoi këtë gjithësi, me fuqinë e Tij e ndreqi, e rregulloi në mënyrën më të përkryer. Me fuqinë e Tij jep jetë, merr jetë dhe ngjall njerëzimin për llogaridhënie, të mirin e shpërblen për mirësitë e tij dhe të keqin e ndëshkon për të këqijat e tij.

Është Ai që nëse do të bëhet diçka, i thotë vetëm bëhu dhe bëhet, me fuqinë e Tij i rrotullon zemrat ashtu si do Ai.

*Zexh-xhaxhi për emrin El-Muktedir ka thënë: ”El-Muktedir është formë e hiperbolizuar, e rritur në përshkrim të fuqisë. Kur përdor këtë emër në këtë formë, atëherë i shtohet kuptimi.

Hatabi ka thëne: ”El-Muktedir është Ai që ka fuqi të plotë dhe të cilin nuk mund ta ndalë askush nga asgjë.

El-Halimij ka thënë: ”El-Muktedir është Ai që e shfaq fuqinë e Tij duke vepruar atë që do dhe që ka dashur të ndodhë në të kaluarën. Ai ka fuqi edhe për gjëra të tjera që nuk i ka vepruar dhe që sikur të donte, do t'i vepronte, ndaj për atë e ka merituar të quhet Muktedirt
Nga frytet e besimit në këta emra të Allahut

Nga ajo që thamë më lart mund të arrijmë në përfundimin se ndër frytet e besimit në këta emra të bukur të Allahut janë:

-Allahu xh.sh. është i Plotfuqishëm, i Gjithëmundshëm, e realizon atë që do pa e ndalur dot askush.

-Me fuqinë e Tij ka krijuar çdo gjë, mban çdo gjë, shkatërron çdo gjë.

-Çdo gjë është nën pushtetin dhe brenda pushtetit të Tij, çfarë do, e vepron me krijesat e Tij pa pasur mundësi kush ta ndalë apo ta pengojë.

-Besimtarit i shtohet dhe forcohet imani në Allahun e fuqishëm e të pamposhtur.

-Njeriu i mbështetet Allahut dhe nuk frikësohet nga të tjerët.

-Njeriu nuk duhet të bëjë padrejtësi sepse Allahu ka fuqi të madhe për hakmarrje.