Emrat e Allahut

58

الْقَوِيُ

El-Kavijj

I Fuqishmi

Kategoria

  • Fuqia

Ku kërkon forcë kur ndihesh i dobët?

El-Kavijj është i Forti që i nënshtron të gjitha — lidhu me Të dhe s’do ndihesh më i dobët kurrë.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Kavijj - Fuqishmi, I Forti, i Plotfuqishmi, Ai për të cilin nuk ka ndonjë pengesë që të realizojë vullnetin dhe përcaktimin e Vet, Ai që ka mundësi dhe forcë të plotë për të nënshtruar çdo gjë në këtë ekzistencë.

Ky emër i Allahut është përmendur 9 herë në Kur’an, si në ajetet:

كَدَأْبِ ءَالِ فِرْعَوْنَ وَٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ كَفَرُوا بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ فَأَخَذَهُمُ ٱللَّهُ بِذُنُوبِهِمْ إِنَّ ٱللَّهَ قَوِىٌّ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ“Kështu u ndodhi edhe ithtarëve të Faraonit dhe atyre që kanë qenë para tyre. Ata i mohuan shpalljet e Allahut dhe Ai i dënoi për shkak të gjunaheve të tyre. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm dhe ndëshkon ashpër.” (Enfal: 52)

ٱلَّذِينَ أُخْرِجُوا مِن دِيَٰرِهِم بِغَيْرِ حَقٍّ إِلَّآ أَن يَقُولُوا رَبُّنَا ٱللَّهُ وَلَوْلَا دَفْعُ ٱللَّهِ ٱلنَّاسَ بَعْضَهُم بِبَعْضٍ لَّهُدِّمَتْ صَوَٰمِعُ وَبِيَعٌ وَصَلَوَٰتٌ وَمَسَٰجِدُ يُذْكَرُ فِيهَا ٱسْمُ ٱللَّهِ كَثِيرًا وَلَيَنصُرَنَّ ٱللَّهُ مَن يَنصُرُهُۥٓ إِنَّ ٱللَّهَ لَقَوِىٌّ عَزِيزٌ“...Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Haxh: 40)

مَا قَدَرُوا ٱللَّهَ حَقَّ قَدْرِهِۦٓ إِنَّ ٱللَّهَ لَقَوِىٌّ عَزِيزٌ“Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Haxh: 74).

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

-Modestia e thjeshtësia para Allahut të Madhëruar por edhe para krijesave të Tij dhe ndjenja se je krijesë e dobët përballë Allahut Fuqiplotë, El-Kavijj.

-Mbështetja në të Fortin, El-Kavijj, që asgjë nuk mund t’i ikë, që asgjë nuk është e pamundur për Të, që ka fuqi për çdo gjë, subhanehu ve teala.

-Mospërfillja e fuqisë së njerëzve sado që janë të fortë, sepse ata prapë janë të dobët përballë fuqisë së Allahut xh.sh.. Lidhu me të Fortin, El-Kavijj, forcoji raportet me Të dhe mos u brengos.

-Ndjenja e paaftësisë dhe e pafuqisë për të bërë diçka, pos me fuqinë dhe vullnetin e Allahut xh.sh., prandaj Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, e porositi një shok të tij të quajtur Abdullah Bin Kajs, që të thoshte sa më shpesh: “...O Abdullah Bin Kajs thuaj: Asnjë lëvizje (ndryshim), as fuqi për adhurim (e për çfarëdo tjetër) nuk posedoj pos me ndihmën e Allahut ( la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah) sepse ajo është thesar nga thesaret e xhenetit...”

Ne nuk mund të bëjmë asnjë lëvizje të vogël apo të madhe, ashtu sikurse nuk mund të bëjmë ndonjë të mirë apo të shmangim ndonjë të keqe vetëm se me lejen dhe vullnetin e Allahut, pasi jeta e njeriut është në dorën e Allahut dhe brenda fuqisë së Tij, vullnetit të Tij, subhanehu ve teala.