Emrat e Allahut

27

الْبَارِئُ

El-Bariu

Zanafillësi

Kategoria

  • Krijimi

Fillimi i çdo krijimi

El-Bariu është Ai që i dha fillim gjithçkaje — Krijuesi që s’kishte shembull para vetes.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Bariu - Filluesi, Krijuesi pa ndonjë model, Zanafillësi.

Ky emër është përmendur tri herë në Kur’an, një herë në suren El-Hashr:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلْخَٰلِقُ ٱلْبَارِئُ ٱلْمُصَوِّرُ لَهُ ٱلْأَسْمَآءُ ٱلْحُسْنَىٰ يُسَبِّحُ لَهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ“Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi (Shpikësi), Formëdhënësi (Ai që çdo gjëje i jep trajtë). Atij i përkasin emrat më të bukur...” (Hashr: 24)

Ndërsa dy herët e tjera është përmendur në një ajet në suren Bekare:

وَإِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِقَوْمِهِۦ يَٰقَوْمِ إِنَّكُمْ ظَلَمْتُمْ أَنفُسَكُم بِٱتِّخَاذِكُمُ ٱلْعِجْلَ فَتُوبُوٓا إِلَىٰ بَارِئِكُمْ فَٱقْتُلُوٓا أَنفُسَكُمْ ذَٰلِكُمْ خَيْرٌ لَّكُمْ عِندَ بَارِئِكُمْ فَتَابَ عَلَيْكُمْ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلتَّوَّابُ ٱلرَّحِيمُ“dhe, kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju te Krijuesi juaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti”. (Bekare: 54)

Edhe kuptimi sheriatik sillet rreth atij gjuhësor, edhe pse shprehjet e ulemave kanë ardhur të ndryshme.

Taberiu ka thënë: “El-Bariu është Zanafillësi i krijesave, i shpiku ato me fuqinë e Tij”

Kurtubiu ka thënë: “El-Bariu është Ai që ka krijuar krijesat pa qenë fare ato, nga asgjëja, prandaj nuk quhet e nuk përshkruhet askush me këtë emër pos Allahut xh.sh..”

Nga këto kuptime mund të arrijmë në përfundimin se kuptimet e emrit El-Bariu janë:

1- El-Bariu është Zanafillësi, Shpikësi, Krijuesi, që me këtë kuptim i përngjan emrit El-Haliku.

2- El-Bariu është Ai që ka dalluar krijesat e Tij mes tyre, prej njërës nxjerr tjetrën, prej farës apo kokrrës së vdekur nxjerr frytin e gjallë.

Nga frytet e besimit në këtë emër të Allahut xh.sh.

Kur njeriu kupton se Allahu është Ai që e ka krijuar atë nga asgjëja, atëherë i shtohet imani në Allahun xh.sh., i shtohet mbështetja, tevekuli, në Të, e di se Allahu (El-Bariu) nuk e ka krijuar shkel e shko, ndaj nuk e lë pa rizk, po ashtu nuk e lë pa mesazh qiellor, pa ia treguar të vërtetën, që është dërgimi i Pejgamberëve dhe zbritja e librave të shenjtë. Pastaj ky e adhuron dhe e madhëron atë Zot xh.sh..