Emrat e Allahut

72

الْقَابِضُ , الْبَاسِطُ

El-Kabid, El-Basit

Shtrënguesi, Dhënësi

Kategoritë

  • Furnizimi
  • Fuqia
  • Urtësia

Kush jep e kush pakëson me urtësi?

El-Kabid shtrëngon dhe El-Basit shtrin. Të dyja janë me urtësinë e Tij — as varfëria e as bollëku nuk janë rastësi.

Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe emri El-Kabit, Shtrënguesi, Pakësuesi, Ai që pakëson çfarë të dojë kujt të dojë, që varfëron kë të dojë, Ai që i merr shpirtrat kur vdesin njerëzit, si dhe emri El-Basit, Dhënësi. Ai që shtrin mëshirën dhe rizkun për robërit e devotshëm, Ai që jep shumë.

Këta dy emra të bukur nuk janë cekur në Kur’an si emra, por janë cekur në formë të foljeve, siç është në ajetin: 

مَّن ذَا ٱلَّذِى يُقْرِضُ ٱللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَٰعِفَهُۥ لَهُۥٓ أَضْعَافًا كَثِيرَةً وَٱللَّهُ يَقْبِضُ وَيَبْصُۜطُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? Allahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron (jep mbushulli); dhe tek Ai do të ktheheni.” (Bekare: 245)

Këta dy emra janë cekur në hadithe të Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, si fjala vjen hadithi i Enes Bin Malikut r.a., i cili tregon se disa njerëz erdhën tek Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, vërtet çmimet janë rritur, ndaj përkufizoje çmimin (caktoju njerëzve një çmim)!” Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, u tha: “Vërtetë Allahu është Përcaktues i çmimit, Pakësuesi, Dhënësi (Shtrirësi i rizkut) dhe unë shpresoj që ta takoj Allahun e të mos ketë asnjë njeri nga ju që kërkon ndonjë hak nga unë, as në gjak e as në pasuri”

Nga frytet e besimit në këta dy emra të Allahut

Nga ajo që thamë më lart mund të kuptojmë se frytet e këtyre dy emrave të bukur të Allahut xh.sh., janë të shumtë, por do të veçojmë:

-Besimi dhe bindja se në dorën e Allahut xh.sh. është çdo gjë, edhe të mirat që posedojmë, si pasuria. Allahu i jep kujt të dojë sa të dojë, i shtrin pasurinë dhe të mirat e tjera të dunajsë, i jep me bollëk kujt do, aq sa do, por edhe ia pakëson kujt do e sa do me dijen dhe me urtësinë e plotë të Tij, siç ka thënë Allahu xh.sh.: 

وَلَوْ بَسَطَ ٱللَّهُ ٱلرِّزْقَ لِعِبَادِهِۦ لَبَغَوْا فِى ٱلْأَرْضِ وَلَٰكِن يُنَزِّلُ بِقَدَرٍ مَّا يَشَآءُ إِنَّهُۥ بِعِبَادِهِۦ خَبِيرٌۢ بَصِيرٌ“Sikur Allahu t'ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do t'i kalonin kufijtë (do ta mbushnin Tokën me mbrapshti, fesat). Por Ai u jep (furnizon ) me masë, sa dëshiron, sepse Ai është i njohur hollësisht dhe i dijshëm për robërit e Vet”. (Shura: 27)

-Pajtimi me atë që na caktuar Allahu nga rizku apo pasuria, por edhe nga begatitë e tjera.

-Ta lusim Allahun që të na japë nga të mirat e Tij, të na mëshirojë e begatojë me begatitë e Tij të pafundme sepse vetëm Ai i jep kujt të dojë, sa të dojë, askush nuk mund të ndërhyjë në këtë.

-Bindja se çdo gjë që vepron Allahu, qoftë kur jep shumë, qoftë kur e pakëson, ka urtësi të përkryer që ne nuk e dimë.

-Përkujdesja që të mirat të cilat na i ka dhënë Allahu t’i përdorim për mirë e jo për keq sepse na i ka dhënë për t’i përdorur për mirë dhe do përgjigjemi për përdorimin e tyre në Ditën e Kiametit.